Në kuadër të fushatës edukative të Qendrës për Menaxhim me Kriza, në SHFK “Hasan Prishtina” u realizua një prezantim edukativ për nxënësit, me qëllim njohjen e tyre me rolin dhe kompetencat e Qendrës për Menaxhim me Kriza, si dhe me mënyrën e duhur të veprimit në situata zjarri, tërmeti dhe rreziqe të tjera.
Gjatë prezantimit, nxënësit u informuan për:
• sistemin e menaxhimit me kriza,
• mënyrën e përdorimit të numrit për raste emergjente 112,
• sjelljen e duhur në situata të ndryshme krize,
• rëndësinë e veprimit të qetë, të përgjegjshëm dhe në kohë.
Prezantimi u realizua nga përfaqësuesit e Qendrës për Menaxhim me Kriza, Eniser Nuredini dhe Sevim Jakup, në bashkëpunim me stafin arsimor të SHFK “Hasan Prishtina”.
Aktiviteti kishte karakter interaktiv, ku nxënësit morën pjesë aktive me pyetje, diskutime dhe shembuj praktikë, duke treguar interes të veçantë për temat që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe reagimin në raste emergjente.
Qendra për Menaxhim me Kriza vendos theks të veçantë në edukimin e më të rinjve, duke e vlerësuar atë si prioritet në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt dhe më të përgatitur. Përmes aktiviteteve të tilla kontribuohet në zhvillimin e vetëdijes, përgjegjësisë dhe shprehive të duhura tek nxënësit që nga mosha më e hershme, me qëllim që ata të dinë të reagojnë në kohë dhe në mënyrë të drejtë në situata të mundshme krize.








